Komisioni Evropian: Maqedonia ka përparuar në reformat ekonomike – 06. nentor, 2007

Isak Ramadani

Në raportin e Komisionit Evropian mbi arritjet e Maqedonisë thuhet se ky vend ka shënuar përparim në reformat ekonomike por se ende është i nevojshëm plotësimi i kritereve politike. Po ashtu nuk mungojnë edhe vërejtjet për zvarritjen e reformave në më shumë fusha. Autoritetet maqedonase thonë se do t’i shikojnë me kujdes rekomandimet e BE-së. Ndërkohë, eksperti për integrime evropiane Nazmi Maliqi thotë se ky raport është brengosës për Maqedoninë.

Autoritetet maqedonase ishin të përgatitura dhe paraprakisht të informuara me përmbajtjen e raportit të Bashkimit Evropian. Amabsadori Ervan Fouere i BE-së ua dorëzoi raportin kryeministrit dhe presidentit të këtij vendi. Në raport nuk ka ndonjë datë për fillimin e bisedimeve midis BE dhe Maqedonisë për integrimin e këtij vendi në bashkimin e vendeve evropiane.

Ambasadori Ervan Fouere në emër të BE-së i bën thirrje qeverisë në Shkup që ta pranojë raportin dhe të punojë në frymën e mirëqenies me të gjithë faktorët politik për arritjen e synimit përfundimtar që është anëtarësimi në BE.

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski thotë se raporti përmban zhvillimet e vitit të fundit si arritjet pozitive por dhe anët e dobëta të institucioneve shtetërore. “Në tërësi raporti është i balansuar dhe paraqet atë që ka ndodhur në Maqeodni shkuar me sytë e BE-së,” thotë zoti Gruevski. Ai thekson përparimin e regjisrtuar në raport mbi ekonominë e Maqedonisë, apo edhe në pjesën e luftës kundër korrupsionit dhe krininalitetit të organizuar.

Analisti Nazmi Maliqi vlerëson se ky raport i fundit është më brengosës për Maqedoninë me që ky vend pritet të jetë në fillet e nisjes së bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE. “Nëse mungon një dizajnim i suksesshëm strukturor brenda shtetit dhe nëse ka një partizim të çuditshëm, kuptohet se atëherë kjo mund të kuptohet nga kënde të ndryshme, por unë mendoj se kjo është një porosi për pikat e dobta të menaxhimit të politkave që lidhen me standardet për inkuadrim në strukturat evroatlantike të eliminohen, të shkohet në një rrugë të mbarë në një politikë funksionale si në aspektin politik, ekonomik, social por dhe në ato pika që kanë të bëjnë me pushtetin gjyqësor dhe me shetin e së drejtës.”

Zoti Maliqi mendon se përmbajtja e raporti mund të ketë një ndikim serioz kundrejt orientimit të politikave integruese: “Por nëse shfrytëzohet vetëm për një marketing politik me akuza të ndërsjellta pozitë – opozitë pa pasur një projekt për vlerat e përbashkëta integruese dhe për një qëndrueshmëri institucionale të brendëshme, me siguri se atëherë do të ishte shqetësuese edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të Maqedonisë.”