Wednesday, October 16, 2024
Opinione

ASHMA me Kvazi- Enciklopedinë – Skenar kundër shtetit

Prof. dr. Nazmi MALIQI

Në temat për prejardhjen e maqedonasve, për emrin e shtetit, për identitetin e maqedonasve, që ishin si probleme që zvarritnin proceset euro atlantike integruese, tani me botimin e Enciklopedisë të AMSHA-së, hapen edhe tema të cilat sjellin mosbesim dhe zvarritje shtesë të integrimit të brendshëm shqiptaro – maqedonas. Nëse insistohet nga Akademikët maqedonas, që edhe më tutje të ndërtojnë ardhmërinë e kombit të tyre me fakte të rreme, duke u mbështetur në mitologji, atëherë i vërtetojnë konstatime se me elitat shkencore apo politike të tij, diçka nuk është në rregull. Kjo flet se nuk kanë orvatje të qëndrueshme në ndërtimin e ardhmërisë apo perspektivës nacionale, kulturore, politike, ekonomike të shtetit për të formësuar identitetin nacional.

Ende pa u lexuar mirë, u paraqiten dilema të shumta dhe pakënaqësi për shtrembërimin e fakteve jo vetëm nga publiku i gjerë shqiptarë, po edhe nga qarqet shkencore e diplomatike. Me të drejtë paraqiten dilema të shumta, cili ishte qëllimi i këtij falsifikimi të historisë lidhur me autoktoninë e shqiptarëve të Maqedonisë? Pse u prekën veçoritë, ndjenjat dhe krenaria, që historikisht i bartin shqiptarët e Maqedonisë për autoktoninë historike që kanë në këto troje. Si mund të arsyetohet Akademia me Bllazhe Ristovski, që pa asnjë debat shkencor, pa asnjë ballafaqim të fakteve të vejnë një shkarravinë historike për prejardhjen e shqiptarëve të Maqedonisë. Mos vallë, Botimi i Enciklopedisë me këso të pavërtetash për shqiptarët ishte lojë dreqi nga AMSHA-ja, me frymëzim nacionalist, për të defokusuar proceset pozitive të brendshme për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, për të krijuar ndasi nacionale, të s’postojnë vëmendjen e maqedonasve për detyrimin e një pranimi të afërt të ndryshimit të emrit nga Qeveria e RM-së, për të krijuar krizë të brendshëm, apo për të krijuar një ambient politik që Qeveria të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Në gjithë këtë lojë naive, gëzon fakti se autorët e Kvazi – Enciklopedisë, kanë hasur në kundërshtime edhe nga akademikë, profesorë dhe gazetarë maqedonas. Anëtari i akademisë Millan Gjurçinov tha se Akademia është dashur në kohë të merr parasysh reagimin e anëtarëve shqiptarë. “Në shkencë ka shikime të ndryshme, nuk mundet vetëm njëra anë të imponojë shikimet e saj palës tjetër, për këtë absolutisht jam kundër”. Gjurçinov tha se “enciklopedia nuk duhet t’i konvenojë vetëm njërës palë, pasi të vërtetat nuk janë parciale, por universale”. Profesori universitar Vllado Popovski, doktor i shkencave të historisë, jurist i njohur, në një intervistë për BBC-në, thotë se Akademia e Shkencave, duhet të tërheqë Enciklopedinë.

Nëse Akademia nuk e bën këtë gjë, atëherë ajo duhet të izolohet. Popovski kundërshton si tendencioze edhe pjesët e enciklopedisë ku thuhet se shqiptarët me dhunë kanë ardhur në Maqedoni në shekullin XVI. Duke u bazuar në fakte se ekzistojnë mendime akademike ndër maqedonasit, që kanë botëkuptim real për konceptin multietnik të shtetit, duke u mbështetur edhe në fakte historike për të kaluarën e popujve të këtij nën qielli, mendojë, se tre akademikët tanë, Starova, Abazi dhe Aliu, duhet të ndërpresin pasivitetin e tyre. Ata duhet t’i injorojnë “akademikët” e Blazhe Ristovskit. Ata me një organizim dinjitoz të një debati shkencor brenda AMSHA-së të shpallin të pavlefshëm këtë Kvazi – Enciklopedi, të shpallin të rrejshme të dhënat për historinë dhe personalitetet e shqiptarëve të Maqedonisë. Në këtë kontekst ndoshta historianët, do t’i zbardhin edhe faktet të tjera për autoktoninë shekullore të shqiptarëve, se shumë vendbanime ishin historikisht të banuara me shqiptarë edhe në Maqedoninë Lindore dhe Veri lindore, duke përfshirë shumë vendbanime në Veles, Prilep, Manastir, Krushevë, Kratovë, Kriva Palankë, Sveti Nikollë (Shën Nikollë), Shtip etj.

Autorët e botimit të kësaj Kvazi – Enciklopedie dhe AMSHA-ja, e demantuan vetveten, në promovimin e vlerave të një kohezioni shkencorë multietnik. U vunë në kundërshtim të disa manifestime që ishin pjesë e aktiviteteve të saja, apo në partneritet me subjekte të tjera, si p.sh., promovimi i librave për Sami Frashrin, promovimi i një libri për Skënderbeun, manifestimi për Kongresin e Manastirit, dhe disa aktivitete të tjera. Kur mendohej, sikur u krijua një opinion pozitiv ndër shqiptarët se diçka po ndodh e re në AMSHA-në, plasi turpi. Sa i përket pasojave që do t’i sjellë botimi i kësaj Enciklopedie, Maqedonisë në rrafshin ndërnacional dhe regjional, me siguri se më së shumti do të dëmtojë interesat e AMSHA-së dhe përkrahësit e tyre.
Unë pajtohem me të gjithë ata, të cilët mendojnë se kjo Kvazi- Enciklopedi nëse nuk shpallet e pavlefshme, do të sjellë humbje kohe për anëtarësimin e RM-së në NATO dhe UE, humbje kohe dhe energji në debate politike të cilat do të defukusohen në të kaluarën historike. Përkundër këtij skenari që mund të jetë edhe politik, megjithatë politikanët shqiptarë nuk duhet, në asnjë mënyrë që të hynë në kurthet dhe dreqnitë e ASHMA-së. Por vëmendja e tyre, përveç tjerash duhet të fokusohet në reformimin ligjor të kësaj akademie, apo të shohin mundësinë për themelimin e një Akademie të veçantë për shqiptarët e Maqedonisë. Duhet të kemi parasysh faktin se në forumet intelektuale shqiptare, me kohë, kur diskutoheshin problemet në sferën e shkencës, të arsimit dhe të kulturës, shpeshherë aktualizoheshin edhe tema me rastin e kandidimit për anëtarë të rinj të AMSHA-së, dhe gjithherë e kanë ngritur zërin për pozitën shoqërore të këtij institucioni të lartë. Duke e pasur parasysh rolin e posaçëm të Akademisë për verifikimin, afirmimin dhe nxitjen e zhvillimit shkencor dhe kulturor në shoqëri, njëkohësisht, në vazhdimësi kanë rrjedhur konstatime për mangësitë që kanë të bëjnë me veprimtarinë dhe përbërjen e Akademisë.
Vetë emri i Akademisë e shndërron atë në një institucion thjesht një nacional dhe e veçon nga vlerat shkencore dhe kulturore të bashkësive të tjera etnike të Maqedonisë. Në këtë drejtim, para së gjithash, AMSHA duhet ta ndërrojë emrin, në “Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë”. Në Akademi, siç dihet, nuk ekzistojnë sektorë dhe projekte hulumtuese, bie fjala, për historinë, kulturën, gjuhësinë, folklorin shqiptarë etj., apo edhe për bashkësitë e tjera etnike jo maqedonase në Maqedoni. Prej para tre viteve (në vitin 2006) kanë improvizuar njëfarë sektori për studime ballkanike, sa për t’i hedhë dikujt hirin syve. Është i dukshëm sidomos fakti se në Maqedoninë multietnike, institucioni më i lartë shkencor dhe artistik, mund të thuhet se është akoma me përbërje një nacionale, me individë të një mendësie komuniste që i ka shkelur koha. Në Akademinë Maqedonase është shumë e vështirë, në mos po e pamundur, që kandidatët shqiptarë, me vepra shkencore dhe artistike në gjuhën shqipe, të zgjidhen anëtarë të saj.

Shkencëtarët dhe artistët e dëshmuar shqiptarë duhej të ishin prezentë në Akademi në përputhje me kontributin e tyre në sferat e ndryshme të shkencës dhe të artit. Kështu siç është, AMSHA krijon probleme, fabrikon vlera jo shkencore, krijon probleme ndërnacionale, dëmton vlerat euroatlantike integruese. Një akademi e tillë, e pa reformuar kuptohet se nuk do i joshë krijuesit shqiptarë dhe pjesëmarrja e tyre në të nuk është kurrfarë satisfaksioni. Unë mendoj se nuk duhet edhe më andej të anashkalohet fakti se kjo Akademi, duhet rrënjësisht të reformohet, në mënyrë që ajo të bëhet një institucion i hapur ku verifikohen dhe afirmohen vlerat më të larta krijuese të Maqedonisë multietnike. Megjithëse, edhe pse AMSHA-ja, vazhdoi të jetë institucion një nacional, është për habi pse ngurrohet për mënyrën tjetër institucionale të organizimit të sektorëve paralele, apo të veçanta brenda Akademisë, për verifikimin, për nxitjen dhe për zhvillimin e krijimtarisë shkencore dhe artistike të shqiptarëve të Maqedonisë.

Një riorganizim i tillë do të ishte një bazë reale, që akademikët shqiptarë të jenë zëdhënës të të arriturave shkencore, duke i aktualizuar tema hulumtuese, që ato të studiohen me qëllim që zgjidhja e tyre të kryhet duke pasur si mbështetje aspektin teorik – shkencor në shumë segmente si në: shqyrtimin intelektual të proceseve, të dukurive dhe të marrëdhënieve politike, tema ekonomike, historike, gjuhësore, afirmimi i temave në sferën e kulturës në përgjithësi, e në veçanti e të asaj shqiptare; duke e afirmuar kultivimin e vlerave intelektuale hulumtuese, për zgjerimin permanent të veprimtarisë botuese, për studimin profesional e shkencor të proceseve bashkëkohore në sferën e integruese. Duke e nxitur kështu studimin dhe begatimin e temave të ndryshme për studimin komparativ dhe për afirmimin reciprok të vlerave nacionale – kulturore të popujve të Ballkanit, duke ofruar edhe alternativa të tjera hulumtuese.