Thursday, April 25, 2024
Intervista

N. Maliqi: Marrëveshja E Ohrit Ka Nevojë Për Rishikim

Nazmi Maliqi, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore, Tetovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maliqi, në pesëvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit a mendoni se ka nevojë për rishikimin e saj, ashtu siç janë shprehur disa analistë dhe politikanë të vendit?

NAZMI MALIQI
Dihet që Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje e paqes dhe e kompromisit për realizimin dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve. Sot paraqitet një realitet i ri në Maqedoni edhe me dilemat, por edhe me vështirësitë që mund t’i ketë në të ardhmen. Mesa duket ajo marrëveshje tani do një rishikim për sa i përket shumicës së ashtuquajtur të Badinterit, që shteti të karakterizohet me një stabilitet politik, institucional etj. Më tutje marrëveshja do të implementohej dhe zbatohej në zgjedhjen e kryetarit të parlamentit dhe në zgjedhjen e qeverisë. Ka dhe shumë rrethana të tjera, të cilat do të ishin të favorshme për klimën politike në Republikën e Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maliqi, si po ndikojnë në jetën politike zhvillimet e fundit të krijimit të qeverisë?

NAZMI MALIQI
E gjithë kjo që lidhet me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit brenda këtyre 5 viteve është një histori e begatshme edhe për Maqedoninë, por edhe për popullin shqiptar, me gjithë ato vlera pozitive që ndodhën tek ne. Kur pritej që më së miri të shkojnë punët më tutje, të kishte një vazhdimësi më të mirë edhe ekonomike edhe politike, si dhe ajo që lidhet me stabilitetin institucional, si duket u bashkuan rrethanat me dilemat e ndryshme për sa i përket formimit të qeverisë së re, duke patur parasysh mënyrat e dobëta dhe të pakuptimta dhe herë herë të çoroditura të komunikimit, që u krijuan edhe me fajin e kryeministrit, por edhe me fajin e lidershipit shqiptar në Republikën e Maqedonisë. Kjo nuk mund të arsyetohet që të ndërpritet komunikimi, pa marrë parasysh se cila parti mbetet në opozitë ose në pozitë, që t’i humbin ato vijat e komunikimit politik. Duhet të ecin përpara në kulturën shtetërore demokratike, çka do të thoshte një ardhmëri për qytetarët e Maqedonisë, por duhet të ngrihet edhe kultura politike, por pse mos themi dhe etika e paraqitjes dhe komunikimit të jetë në nivelin e duhur. Për fat të keq, me keqardhje mund të konstatojmë që jemi dëshmitarë të retorikave të çuditshme, retorikave që dinë të krijojnë një dozë të dyshimit dhe që kanë një dozë të revanshizmit ose dozë të mbjelljes së një armiqësie të çuditshme brenda partive politike shqiptare, gjë që edhe e humb kuptimin e organizimit politik në moment.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon me protestat kundër mospërfshirjes në pushtetin ekzekutiv. Sa mund të ndikojë kjo në gjendjen e sigurisë në vend?

NAZMI MALIQI
Me siguri se nuk është mirë një protestim i tillë. Kuptohet mund të ndikojnë edhe në rrethana të tjera, të cilat mund të prekin edhe nivelin e sigurisë do të thotë të stabilitetit të shtetit. Mendoj se BDI-ja duhet të ishte e arsyeshme që të orientojë aktivitetet e veta drejt ndryshimeve kushtetuese. Sikur të instalohej ajo shumica e Badinterit, më tej nuk do të ndodhnin skena të tilla. Në gabimin e kryeministrit nuk duhet të futen dhe të tjerët. Kuptohet se tash duhet të gjendet një mënyrë tjetër, duke patur parasysh se BDI-ja ka gjithë pushtetin lokal në duart e veta, ka 17 deputetë. Megjithëse ne jemi dëshmitarë të asaj se duhet të respektohet vullneti i shumicës, kryeministri këtë nuk e respekton dhe duhet të gjenden mënyra të tjera të presionit opozitar apo të presionit tjetër politik edhe për ndryshime kushtetuese, ndryshime ligjore, që mandej të mos përsëriten skena të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni mundësitë dhe gjasat e Maqedonisë në integrimet evroatlantike?

NAZMI MALIQI
Nëse shikojmë planin e veprimit që ju dha Maqedonisë nga Bashkimi Evropian, dhe në atë plan veprimi me siguri është dhe NATO-ja për Maqedoninë, ka rezultate zhgënjyese në këtë pikëpamje, pa marrë parasysh se Maqedonia e ka statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Si duket ato detyra që është dashur të kryhen gjatë kësaj periudhe që të fillojnë bisedimet, duket që nuk janë në atë nivelin e duhur. Njëlloj shkojnë çështjet e drejtësisë dhe asaj që lidhet me menaxhimin politik të strukturave të sigurisë që lidhet edhe me anën politike të NATO-s. Edhe aty ka mangësi të tjera. Duhet një mobilizim i kësaj qeverie që këto mangësi që shkojnë në kundërshtim me standardet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO të marrin një mirëvajtje tjetër, sepse përndryshe do të gjendemi edhe më tutje në margjinat dhe do të dëshpërohen edhe qytetarët, sepse Maqedonia nuk do të jetë në listën e shteteve që do të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Intervistoi: Vullnet Poshka