Wednesday, October 16, 2024
FEATUREDGeneralLatest

Fjala e Kryeredaktorit të Revistës Vizione

Revista “Vizone” vazhdon të jetë zëdhënëse e intelektualëve në aktualizimin e problemeve jetike me një angazhim për studimin e tyre, me qëllim që zgjidhja e tyre të kryhet duke pasur si mbështetje aspektin teoriko-shkencor. Kuptohet, se mbetemi me synim që: qytetari shqiptar të bëhet subjekt aktiv në të gjitha format e organizimit politiko–ekonomik, ndërsa kultura politike të jetë parakusht për ambient demokratik dhe ligjshmëri në jetën shoqërore me të tjerët dhe brenda vetë proviencës sonë shqiptare. Vlerat demokratike kombëtare dhe fetare të ekulibruara me standardet për integrime evro-atlantike, duhet të jenë kusht për artikulimin demokratik të interesave të ndryshme politike, ekonomike, sociale e kulturore, të cilat nëpërmjet praktikës shoqërore, do të jenë funksionale edhe në ndërtimin e demokracisë. Krijimi i raporteve për garim dhe konkurencë në përvetësimin e vlerave të cilat janë imperativ i kohës, përmes dallimeve në qasje dhe të menduarit ndryshe, si dhe duke e njohur më mirë vetveten, do të mundësojnë të krijojmë një kulturë qyteruese për njohjen edhe të të tjerëve. Me këtë do të krijohet hapësirë e kuptueshme për kultivimin e observime kritike intelektuale për studimet profesionale shkencore .

Në revistën “Vizione” do të percillen dhe do të studiohen proceset shoqërore në lëmin juridiko-shtetëror, në sferën e kulturës në përgjithësi, e në veçanti e të asaj shqiptare, si dhe do të bëhen orvajtje që të bashkohen fuqitë kreative me qëllim të ndriçimit të hapësirës sonë kulturore; në mënyrë positive të ndikojë në klimën krijuese intelektuale; do t’i shqyrtojë çështjet që kanë të bëjnë me gjendjen dhe ndërlidhjet e pjesëve të popullit tonë në Ballkan dhe diasporë, do ta nxisë e do ta motivojë angazhimin e intelektualëve në aktivitete krijuese shkencore e profesionale; do të inkurajohen studimet krahasimtare për afirmimin e ndërsjellë të popujve të Ballkanit, si dhe për ndriçimin e lidhjeve të tyre historike; për një bashkëpunim të gjithanshëm ndërmjet popujve që jetojnë në vendin tonë, në Ballkan e në Evropë.

Dr. Nazmi Maliqi