Pushtetarëve komunistë maqedonas u shërbente Kumanova si terren për eksperimentimin e projekteve kundër shqiptarëve.

Ashtu si në vendbanimet e tjera shqiptare të Maqedonisë, edhe në Kumanovë, qytet me 140 mijë banorë (mbi 60 mijë shqiptarë) ndaj popullatës shqiptare u zbatua politikë diskriminuese, sidomos ndaj shkollimit të mesëm në paralelet me mësim në gjuhën shqipe. Funksionarët maqedonas, që ishin në postet udhëheqëse nëpër institucionet e arsimit, Kumanovën e kishin terren të përshtatshëm për eksperimentime politike, sidomos në vitet shkollore 1985/1986 dhe 1987/88. Kumanova u shërbente si model për aplikimin e “reformave” të filluara enkas për arsimin e mesëm në gjuhën shqipe, që si iniciativë filloi në vitin 1985. Gjithmonë duke u thirrur në ligjin për arsim të mesëm të orientuar dhe në reforma, që në praktikë filloi të shndërrohej në fushatë për diferencimin e profesorëve shqiptarë dhe për mbylljen e paraleleve në gjuhën shqipe. Kjo periudhë sikur e ndërpreu qetësinë e rrejshme që u krijua pas diferencimeve të vitit 1981. Nga presionet, burgosjet dhe keqtrajtimet e nxënësve, profesorëve dhe prindërve, u krijua një situatë e tillë që nga këta presione të ndërmarra nga ana e policisë dhe aktivistëve komunistë, shumë profesorë të përjashtuar nga puna u detyruan të largohen edhe nga Maqedonia. Ishte një situatë kur Kumanova po përkujtonte momentet e viteve 1958-1963, kur qyteti u bë stacioni tranzit për shumë shqiptarë të Kosovës dhe të Maqedonisë, prej nga morën udhën pakthim për në Turqi.