Intelektualët shqiptarë angazhohen për pranimin e shkencëtarve shqiptarë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Maqedoni

Shkup, 20 janar 2003 – Forumi i Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni ka bërë të ditur se nëse Akademia e Shkencave dhe Arteve në këtë vend do të vazhdojë të mbetet njënacionale, atëherë intelektualët shqiptarë do të themelojnë një institucion të ngjashëm. Akademia e Shkencave dhe Arteve në Maqedoni nuk ka asnjë akademik shqiptar.

Kryetari i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni, Nazmi Maliqi në një intervistë dhënë BBC-së tha se kaluan 50 vjet prej kur është themeluar Akademia e Shkencave dhe Arteve në Maqedoni dhe ende nuk u gjet asnjë nga radhët e hulumtuesve shqiptarë që të bëhet anëtar i kësaj akademie.

Forumi i Intelektualëve Shqipëtarë bën presion në këtë institucion që shqiptarët ta kenë vendin në këtë akademi. Z. Maliqi ka theksuar se është e pakuptimtë që deri më tash në Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Maqedoni të mos ketë asnjë hulumtues shkencor shqiptar.