PERSIATJE POLITIKE

PERSIATJE POLITIKE

PARATHËNIE

Këtë pasqyrë të teorisë dhe praktikës politike e kam filluar qysh në vitet kur në Maqedoni ushtrohej presion nga pushteti komunist për zhvillimin normal të arsimit shqip. Garnitura politike komuniste maqedonase vazhdoi praktikën e mbrapshtë të politikave serbe të asaj kohe, sidomos të viteve 1981-1990. Filloi që të mos mbajë llogari për ruajtjen e vijave të komunikimit ndërnjerëzor dhe ndërnacional në mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Udhëheqësit shtetërorë të Maqedonisë, me veprimet e tyre politike dhe represive përmes organeve policore, ishin të orientuar t'i rrënojnë edhe disa vlera pozitive të logjikës njerëzore, që deri diku ishin të ruajtura në mes këtyre dy popujve. Në këtë periudhë të represionit dhe të politikës kundër shqiptarëve, mungonte guximi intelektual nga radhët e maqedonasve që të ngrejnë zërin e arsyes për mbrojtjen e vlerave njerëzore. Pushtetarët maqedonas, përveç këtyre veprimeve politike dhe policore, insistonin t'i rrënojnë raportet ndërnjerëzore edhe në mesin e shqiptarëve, sidomos në kolektivat e shkollave fillore në gjuhën shqipe, në organizatat punuese dhe në administratën shtetërore ku kishte shqiptarë të punësuar. Me keqardhje mund të konstatohet se asnjë politikan, asnjë udhëheqës shtetëror, asnjë polic, asnjë gardian burgu nuk u morën asnjëherë nën përgjegjësi ligjore për shpërdorim të detyrës zyrtare apo tejkalim të kompetencave ligjore kundrejt masakrës dhe dhunës që përjetuan një numër i madh i shqiptarëve të Kumanovës, vetëm pse kërkuan të shkollohen në gjuhën amtare shqipe.

Duke e kompletuar këtë libër me këtë kronikë politike, në shenjë kujtimi fillova të mendoj për vitin 1989-1990, kur edhe u themeluan partitë e para shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë. Këtë periudhë e kemi edhe motiv të bisedës me aktivistë partiakë të asaj kohe, të cilët ishin pjesa operative për themelimin e degëve dhe nëndegëve të PPD-së nëpër qytetet dhe fshatrat ku jetojnë shqiptarët. Pasi ata i njoftova për idenë e rrumbullakësimit të disa shkrimeve të mia të këtyre dy dekadave te botuara në gazeta dhe revista të ndryshme, të publikuara në dy librat e mija "Gjurmë politike", IADC, Shkup 2001 dhe në librin SHPALOSJE., Shkup, 2001. Diskutuam për fillimin e shkrimeve të letrave të para për të krijuar një përcaktim programor për veprimin politik të shqiptarëve, si dhe për rëndësinë e organizimit, me vështirësitë, vullnetin, motivimin, me qëllim që përmes organizimit politik të ngrihej vetëdija e një rezistence legale për barazinë e shqiptarëve në trojet e veta. Biseduam për vitet 1989-1990, kur inteligjenca shqiptare vuri themelet e formimit të partive të para politike shqiptare. Më 23 dhjetor 1989 u formua Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia e parë politike shqiptare me program politik të qartë demokratik kombëtar.

Sipas shembullit të shqiptarëve të Kosovës, edhe shqiptarët e viseve të tjera në ish- Jugosllavi filluan formimin e partive të tyre politike. Kështu më 15 prill të vitit 1990, në Republikën e Maqedonisë u formua Partia e Prosperitetit Demokratik, partia e parë shqiptare në Maqedoni me program demokratik e kombëtar. Me këtë shpalosje tonën të kujtimeve të organizimit politik, e kthyem filmin prapa, duke i dhënë këndin e një analize politike për projektin akademik gjithëshqiptar, me formimin e Këshillit Koordinues të përbashkët ndërpartiak, ku vendimet duhej të merreshin me koncensus. Në këtë këshill ishin marrë vendime të rëndësishme për të mbështetur fuqishëm pavarësinë e Kosovës si shtet sovran dhe neutral. Për të mbështetur kërkesën e shqiptarëve të Maqedonisë për t'u njohur si element shtetformues, kërkesën e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit, Medvegjës dhe të Malit të Zi për autonomi më të lartë me të drejtë bashkimi me Kosovën. Në bazë të gjitha këtyre kërkesave qëndronte arsyetimi i bazuar në të drejtën ndërkombëtare, në të drejtën për vetëvendosje.

Në këtë takim tonin, pas njëzet viteve në qendrën e Shkupit, për një kohë sikur na kthen po në ato vite të kohërave të liga. Megjithatë, paksa të ngarkuar edhe me një nostalgji vazhduam të evokojmë kujtimet për momentin e zgjedhjeve të para parlamentare me Partinë e Prosperitetit Demokratik në vitin 1990, si lëvizje gjithëshqiptare në hapësirat ku jetojnë shqiptarët e Maqedonisë. Ky mobilizim politik dhe kombëtar i gjithë shqiptarëve të Maqedonisë me motiv dhe dëshirë të madhe që të kontribuojnë për ngritjen e nivelit politik dhe si lidhje e fortë me vendlindjen u vërtetua në zgjedhjet e para parlamentare në tetor dhe nëntor të vitit 1990. Autostrada ndërkombëtare E–75, i ngjante një vargu të pandërprerë krushqish me shqiptarë të punësuar përkohësisht në Evropën Perëndimore, që ishin nisur për në Maqedoni për të dhënë votën për kandidatët shqiptarë. Aeroporti i Shkupit dhe i Ohrit ishte përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha shtetet perëndimore të Evropës. Në vendvotimet ku banonin shqiptarët kishte atmosferë dasmash. Zgjedhjet e para parlamentare me kandidatët shqiptarë nga PPD-ja, u kuptuan nga shqiptarët si moment i kthimit të shpresës se shqiptarët në Maqedoni me përfaqësuesit e vet politikë do të jenë të zotët e vetvetes. Këto zgjedhje, që ishin të motivuara, i ngjanin një feste të vërtetë në mesin e shqiptarëve. Nuk kishte ekscese në mesin e votuesve shqiptarë dhe padyshim ishin në përputhje të plotë me të gjitha standardet demokratike, zgjedhje me një kulturë të lartë demokratike. Për kulturën e lartë politike të shqiptarëve në këtë fillim të mbarë të organizimit politik të tyre, jehoi zëri për të mirë edhe në opinionin demokratik ndërkombëtar.

Pse nuk u ruajt ky kod i besës për një kulturë politike, pse nuk u kultivua ky fillim i mbarë? Prej vitit 1996 filloi edhe zhgënjimi. Ishte ky zhgënjim i të gjithë atyre shqiptarëve që vlerat demokratike i kishin barazuar me vlerat e përbashkëta të kombit shqiptar. Në bisedë me bashkëveprimtarët, kur së bashku filluam të ecim në organizimin politik, shprehëm edhe keqardhje. Biseduam për faktin se shqiptarët këtë atmosferë të përshkruar me vlera demokratike zgjedhore, asnjëherë nuk e shijuan si shqiptarë në zgjedhjet që pasuan në vitet 1996, 1998, 1999,... Këto ishin vite zgjedhore me rrahje, sharje, vrasje brenda partive politike shqiptare. Nga të gjithë liderët shqiptarë, asnjëherë nuk u bë funksional institucioni i njerëzores për pranimin e fajësisë, vetëpërgjegjësisë e vetëkritikës.

Në takimin tonë për evokimin e kujtimeve për ditët e themelimit të PPD-së, bëmë një retrospektivë. Gjatë kohës së themelimit të degëve dhe mandej në tubimet parazgjedhore për zgjedhjet e para parlamentare, me krenari u shpalos vullneti, dëshira, gëzimi i gjithë shqiptarëve me synimin e pakontestueshëm për avancimin e çështjes shqiptare si qytetarë të barabartë në R. e Maqedonisë. Maqedonia ka një strukturë me më tepër se 40% popullatë jo maqedonase. Ky realitet, në të shumtën e rasteve, u krijonte averzion një pjese të madhe të politikanëve dhe intelektualëve të profileve të ndryshme në radhët e maqedonasve. Politikanëve maqedonas iu mungonte edhe më shumë vetëdija dhe përgjegjësia për shtetin dhe nuk mund ta kuptonin se nuk do të kishte të drejta nëse ato nuk kuptohen, nuk garantohen dhe nëse nuk realizohen si të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, të drejta të barabarta në mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ky nivel i të drejtave patjetër duhej të kuptohej edhe si liri individuale dhe si vlerë njerëzore. Në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë të vitit 1991 nuk precizohej nevoja e sjelljes së ligjeve të veçanta. Mungesa e normave kushtetuese, të cilat në mënyrë më të drejtpërdrejtë do të udhëzonin për mënyrën e trajtimit të kësaj materie, te politikanët e pandërgjegjshëm (pushtetarët maqedonas) linte hapësirë për voluntarizëm dhe hamendje të llojit të vet në trajtimin e saj, veçanërisht kur bëhej fjalë për vëllimin dhe mënyrën e përfshirjes së materies në ligje të caktuara.

Në këtë shpalosje kohe kemi një qasje për hulumtimin e mëtutjeshëm të mbetjes së pasqaruar të "Ideja e organizimit të shqiptarëve për vetëmbrojtje" në vitet 1991-1993. Çfarë mbeti e paqartë nga gjurmët e kësaj ideje? Për opinionin shqiptar, me siguri edhe për të tjerët, që janë të interesuar të dinë më tepër për problematikën e kësaj iniciative mbetën me kohë paqartësitë. Kjo iniciativë ishte filluar në fund të vitit 1990.

Ndër preokupimet kryesore të popullit shqiptar në Maqedoni është arsimi sipëror në gjuhën shqipe. Në fillim të themelimit të UT-së, 1994-1995 dhe pastaj në kontinuitet, udhëheqësit shtetërorë maqedonas, kishin vlerësim të gabuar për realitetin dhe rëndësinë që ka arsimi sipëror në gjuhën shqipe. Shqiptarët me mund dhe sakrifica e filluan këtë projekt kombëtar. Legalizimi i Universitetit të Tetovës si universitet i tretë shtetëror, U paraqitën pengesa nga më të ndryshmet.

Në kontinuitet të kronikës së organizimit politik, vlerësimi i rolit të subjektit politik shqiptar në ngjarjet e Gostivarit zë një pozicion të rëndësishëm për të sqaruar këtë projekt kombëtar në vitin 1997, për zyrtarizimin e flamurit shqiptar, që paraqet edhe sfidë të organizimit apo të dezorganizimit politik brenda partive politike shqiptare.

Në këtë kronikë rëndësi i kushtohet periudhave zgjedhore dhe komunikimit politik brenda shqiptar dhe në veçanti projektit të koalicionit parazgjedhor në mes PPD-së dhe PDSH-së, për zgjedhjet parlamentare të vitit 1998, me moton "Për unitet kombëtar". Edhe pse projekti ishte për ambicie të tjera, dy liderët e dy partive dhe strukturat e tyre partiake, jo vetëm që i bënin kurthe të mjera njëri-tjetrit, por edhe me mjeshtri i mashtronin zgjedhësit shqiptarë se ky projekt ofron "marrëveshje të garantuar të unitetit shqiptar".

Çlirimi i Kosovës, kapitulimi i forcave serbe dhe dëbimi i pushtetit serb nga Kosova, krijimi i një harte domethënese shqiptare në regjionin ballkanik, krijoi raporte të reja për veprimin më të favorshëm politik edhe per shqiptaret e Maqedonisë. Me siguri periudhat e veprimit poliitik, pikërisht nga faktorët e nderlidhur me Kosovën duhet jetë bazë e analizave për sukseset dhe mossukseset e subjekteve politike të shqiptarëve të Maqedonisë, duke pas nje pikënisje të re për faktorizimin mbarëshqiptar pas vitit 1999.

Trajtim të posaçëm në këtë përmbledhje ka zënë periudha e konfliktit të vitit 2001 dhe periudha e shpresës së madhe për organizimin politik të shqiptarëve pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Shumë analiza bazohen me vështrime për aktet normative ligjore kushtetuese dhe realitetin ndëretnik. Koalicionet qeveritare BDI-LSDM (2002-2006), koalicioni qeveritar PDSH e VMRO–DPMNE (2006 – 2008), koalicioni BDI e VMRO-DPMNE (2008 -2011) si dhe mënyrat e komunikimit politik. Në vazhdimësi të analizave të shkruara, rëndësi e posaçme i është kushtuar implementimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe projekteve qeveritare, prej të cilëve, nga shumë rrethana, varej natyra politike e shtruarjes së çështjeve të integrimit euroatlantik të vendit.

Ata që do ta lexojnë këte libër ndoshta do të deshifrojnë pikëpamjet e mia, me arsye apo pa arsye, sa e kam sfiduar thënien e vjetër latine "audi, vide, tace si vis vivere in pace" (dëgjo, shiko dhe hesht, nëse dëshiron të jetosh i qetë).

Nazmi MALIQI,
Shkup 2011

Fjala e Kryeredaktorit

Mendimi redaktorial

Udhėzime pėr autorėt

Na dergoni e-mail.

© Copyright 2013. All rights reserved. Intellectual Association DEMOCRATIC CLUB.