Gjuha shqipe dhe arsimi në Republikën e Maqedonisë, mbajtur më 11 mars të vitit 2010

Shoqata e intelektualëve ”Klubi demokratik” – Shkup.

Konkluzione përfundimtare nga debati shkencor – Gjuha shqipe dhe arsimi në Republikën e Maqedonisë, mbajtur më 11 mars të vitit 2010.

Në bazë të diskutimeve të një numri të madh të pjesëmarrësve në debat, opinionet e tyre mund t’i përfshijmë në konkluzionet, si vijojnë:

1. Të gjitha përpjekjet në të kaluarën për imponimin e strategjive linguistike centraliste dhe integriste për homogjenizimin e shoqërisë multietnike, janë dëshmuar si të pasuksesshme. Në vend të koncepcioneve të këtilla të imponimit të dhunshëm, është e domosdoshme një qasje e përbashkët dhe një mirëkuptim midis intelektualëve, respektimi i identiteteve të bashkësive etnike si dhe stimulimi dhe inicimi gradual i aktiviteteve për njohjen e gjuhëve dhe kulturave në shtet. Në këtë drejtim rol të rëndësishëm kanë: pesha politike e grupit linguistik, madhësia e grupit, mediumet dhe grupet për presion, demokratizimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe e gjithë shoqëria.

2. Në kushte të marrëdhënieve ndëretnike ende jo mjaft të ndërtuara dhe ende të ndieshme, çdo imponim i zgjidhjeve linguistike që nuk janë të pranueshme për etnikumet, pavarësisht nga ajo a thua mbas tyre qëndrojnë edhe institucione të afirmuara ndërkombëtare ose autoritete shtetërore, sikurse që është propozimi për instalimin e mësimit të gjuhës maqedone për fëmijë shqiptar prej klasës së parë nuk janë produktive dhe i prishin marrëdhëniet ndëretnike. Përndryshe, ky propozim është në kundërshtim me Ligjin për arsimin fillor të vitit 2008.

3. Konsiderojmë se integrimi i shoqërisë, që reciprokisht duhet të ndjeket edhe nga bashkësia etnike maqedone dhe nga bashkësia etnike shqiptare, nevojitet të bëhen përpjekje të përbashkëta për mësuarjen e gjuhëve të tyre në një shtet multietnik sikurse që është RM-ja.

4. Konsiderojmë se zgjidhjet nuk duhet të kërkohen përmes ndryshimeve të Marrëveshjes korrnizë të Ohrit, që është e garantuar nga ana e subjekteve politike vendase dhe ndërkombëtare.
Legjislacioni i shtetit duhet t’i përcjellë proceset e përgjithshme të demokratizimit dhe evolucionit të shoqërisë multietnike. Në këtë drejtim konsiderojmë se është e nevojshme dhe e dobishme të vazhdon dialogu midis intelektualëve dhe politikanëve në kërkimin e zgjidhjeve të reja. RM-ja është një shtet i vogël, përparësia e saj është në faktin që numri i politikanëve dhe intelektualëve është i atillë që ata kryesisht njihen mirë dhe shpeshherë mund të kuptohen dhe të diskutojnë për temat e kontestave të tyre ndëretnike.

5. Nevojitet një reformë radikale në fushën e arsimit, mbasi prej marrëdhënieve arsimore varet qëndrueshmëria e shtetit.

6. Pjesa administrative në shkollat të zhvillohet në gjuhën në të cilën mësohet mësimi.

7. Me ndryshimet e Kushtetutës të RM-së nevojitet të zgjerohet baza kushtetuese për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjitha institucionet e shtetit.

Shoqata e intelektualëve ”Klubi demokratik” – Shkup

PDF download (Македонски)